Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes, ka pritur sot në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori.
Përmes një njoftimi, EULEX-i ka bërë të ditur se takimi u zhvillua në kuadër të partneritetit të fortë ndërmjet dy misioneve, me fokus në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe koordinimit për çështjet e sigurisë në Kosovë.
“Ata diskutuan për mënyrat e avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe koordinimit ekzistues në kuadër të mekanizmit me tre nivele të reaguesve ndaj sigurisë, duke kontribuar kështu në stabilitetin e Kosovës dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.
Mekanizmi me tre nivele i reaguesve ndaj sigurisë përfshin Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in, të cilët kanë role të ndryshme në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend.
EULEX-i ka theksuar rëndësinë e partneritetit dhe koordinimit ndërmjet dy misioneve për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.





