SHBA-ja ka reaguar me kujdes ndaj deklaratës së presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se Rusia do të vendosë armë taktike bërthamore në Bjellorusi. Një zyrtar i lartë i Administratës Biden ka thënë se nuk ka shenja që Moska planifikon të përdorë armët e saj bërthamore, raportoi të dielën Reuters.
Putini i ka dërguar paralajmërim NATO-s për mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën dhe përshkallëzimin e një përplasjeje me Perëndimin. Ai ka njoftuar se masa nuk do të shkelë premtimet për mospërhapjen bërthamore.
Putini i krahasoi planet e tij me vendosjen e armëve të SHBA-së në Evropë dhe tha se Rusia nuk do të transferonte kontrollin në Bjellorusi.
“Nuk ka asgjë të pazakontë as këtu: së pari, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë këtë për dekada. Kanë vendosur prej kohësh armët e tyre taktike bërthamore në territorin e vendeve të tyre aleate”, tha Putini për televizionin shtetëror. “Ne ramë dakord që do të bëjmë të njëjtën gjë – pa shkelur detyrimet tona, theksoj, pa shkelur detyrimet tona ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve bërthamore”, ka shtuar ai.
Armët bërthamore “taktike” u referohen atyre që përdoren për përfitime specifike në një fushë beteje dhe jo atyre që kanë aftësinë për të zhdukur qytetet. Është e paqartë se sa armë të tilla ka Rusia, duke pasur parasysh se është një zonë ende e mbuluar nga fshehtësia e Luftës së Ftohtë.
Zyrtari i lartë i administratës amerikane vuri në dukje se Rusia dhe Bjellorusia kanë kohë që flasin për transferimin e armëve bërthamore.
“Nuk kemi parë asnjë arsye për të rregulluar pozicionin tonë strategjik bërthamor dhe as ndonjë tregues që Rusia po përgatitet të përdorë një armë bërthamore. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive të aleancës së NATO-s”, ka thënë zyrtari amerikan.
Putin nuk specifikoi se kur do të transferoheshin armët në Bjellorusi, e cila ka kufij me tre anëtarë të NATO-s – Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë. Ai tha se Rusia do të përfundojë ndërtimin e një objekti magazinimi atje deri më 1 korrik./koha.net/