Samiti i Sigurisë në Mynih të Gjermanisë ka nisur punimet e tij. Në këtë samit po marrin pjesë dhejtra liderë të botës. Për në Gjermani ka udhëtuar edhe presidentja e Kosovës, e cila sipas agjendes zyrtare, do të mbajë edhe një fjalim. Përtej udhëtimit, nuk dihet nëse ka aranzhuar ndonjë takim. Por një homolog i tij, tashmë e ka bërë një takim të madh.
Është fjala për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka takuar njeriun kryesor të diplomacisë amerikane. Vuçiqi e zhvilloi një takim në Samitin e Mynihit, hiç më pak se me Anthony Blinken, njeriun që udhëheq me Departmantit të Shtetit. Madje ishte vetë z. Blinken që njoftoi për këtë takim, duke shkruar një cicërimë në llogarinë e tij në Twitter.
“Pati një bisedë produktive me presidentin serb Aleksandar Vuçiq sot në Konferencën e Sigurisë së Mynihit. Diskutuam rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe përçova vlerësimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën. Ne ndajmë dëshirën e Serbisë për një të ardhme me BE-në.” – shkroi Blinken.
Sigurisht për takimin shkroi edhe Vuçiq, lideri i Serbisë. Në një postim në Instagram, ai shkroi se takimi, ku u diskutua edhe për Kosovën, konfirmon përmirësimin e marrëdhënieve bilateral ndërmjet Serbisë dhe ShBA-së.
“Krahas diskutimit për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, konfirmuam përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së. Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiq u takua me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Anthony Blinken në hapjen e Konferencës së Sigurisë në Mynih.” – shkroi ai.
Ndryshe, Konferenca e përvjetshme e Sigurisë që mbahet në Mynih është vendi ku takohen shumë liderë të botës. Edhe këtë vit është njëjtë, pasi dhjetra liderë të botës kanë zbarkuar në Konferencën e Mynihit.
Në këtë konferencë të rëndësishme do të marrin pjesë edhe liderët e Kosovës. Sipas listës së publikuar nga Konferenca, atje do të qëndrojnë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Në agjendën e publikuar, fjalim do të mbaj veç Osmani. Në Konferencën e Sigurisë, Osmani do të mbajë një fjalim rreth grave, paqës dhe sigurisë në një panel së bashku me zëvendëspresidentin e Kolumbisë, Franica Marquez.
Fjalimi do të mbahet më 18 shkurt, ndërsa në një njoftim të Qeverisë së Kosovës, është bërë e ditur se Kurti do të ketë takim me udhëheqës shtetërorë që janë po ashtu pjesëmarrës në këtë konferencë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar sonte për në Mynih të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë. Kryeministri Kurti do të zhvillojë takime me liderë shtetërorë dhe përfaqësues institucionesh, pjesëmarrës në këtë konferencë”, u tha të premten mbrëma në njoftimin e kryeministrisë.