Në një bisede telefonike të zhvilluar me të së fundi, Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ia bëri të qartë presidentit serb Aleksandër Vuçiç se është e nevojshme të shmangen provokimet dhe konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenca serbe pohoi se zyrtari i lartë amerikan i mëshoi idesë se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë punën në normalizimin e raporteve, ndërsa ritheksoi mbështetjen e SHBA-së për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Vuçiç, sipas njoftimi të presidencës, përsëriti se Serbia vazhdon të jetë e përkushtuar në politikën e paqes dhe bashkëpunimit në rajon. Procesi i dialogut mes Prishtinës e Beogradit ka nisur në vitin 2011. Marrëveshja bazë drejt normalizimit të relatave mes tyre u arrit shkurtin e këtij viti në Bruksel, e një muaj më vonë, palët u pajtuan edhe me Aneksin e zbatimit të saj.





