LAJME

SHBA kryen sulme të reja ndaj Iranit pasi dy ushtarë amerikanë u vranë nga sulmi iranian

SHBA kryen sulme të reja ndaj Iranit pasi dy ushtarë amerikanë u vranë nga sulmi iranian
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Korrik 2026, 08:57

Shtetet e Bashkuara njoftuan të dielën se kanë kryer sulme kundër Iranit për natën e tetë radhazi, pasi paraprakisht bënë të ditur se dy pjesëtarë të ushtrisë amerikane u vranë në Jordani dhe një tjetër u zhduk pas një sulmi iranian.

SHBA-ja dhe Irani i kanë shpeshtuar sulmet qëkurse një marrëveshje e armëpushimit të përkohshëm, e nënshkruar një muaj më parë, dështoi javën e kaluar, duke rritur mundësinë e rikthimit në një luftë të plotë.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha në një deklaratë se sulmet ajrore nisën mbrëmjen e së shtunës, me urdhër të presidentit Donald Trump.

 

“Sulmet synojnë ta dobësojnë më tej aftësinë e Iranit për të kërcënuar transportin tregtar në Ngushticën e Hormuzit dhe t’i ndëshkojnë me shpejtësi forcat e Gardës Revolucionare Islamike që nisën sulmet ndaj ushtarakëve amerikanë në Jordani mbrëmjen e kaluar,” thuhet në deklaratë.

Më vonë, CENTCOM njoftoi se vala e sulmeve kishte përfunduar, duke goditur qendra të mbikëqyrjes bregdetare dhe të mbrojtjes ajrore në Iran.

 

Agjencia iraniane e lajmeve, Mehr, raportoi se SHBA-ja kreu një sulm pranë qytetit Sirik, në jug të Iranit, duke shtuar se nuk u raportua për viktima apo dëme në infrastrukturë.

Ndërkohë, agjencia Tasnim tha se ushtria amerikane goditi edhe një objekt pranë Shadeganit, afër kufirit me Irakun.

 

Më pas, ushtria iraniane kreu një sulm me dronë ndaj pajisjeve dhe aseteve ushtarake amerikane në kampin Al-Adiri dhe në Bazën Ajrore Ali Al Salem në Kuvajt, raportoi televizioni shtetëror iranian në orët e para të së dielës, duke cituar një deklaratë të ushtrisë.

Të dyja bazat u goditën si pjesë e sulmeve iraniane kundër aseteve amerikane dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik që nga java e kaluar.

CENTCOM tha se dy ushtarët amerikanë u vranë të premten, ndërsa një tjetër u zhduk. Tani, numri i ushtarëve amerikanë të vrarë që nga fillimi i luftës arrin në 16, ndërsa mbi 420 të tjerë janë plagosur.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika