SHBA-të kanë konfirmuar se kanë vendosur në orbitën e Tokës një armë hapësinore, hera e parë që pranon publikisht se disponon kapacitete të tilla sulmuese.
Sekretari i Forcave Ajrore të SHBA-së, Troy Meink, tha se arma “në orbitë” ishte e nevojshme për të mbrojtur forcat amerikane nga veprimet armiqësore të kundërshtarëve.
Duke folur të hënën në Konferencën për Ajrin, Hapësirën dhe Kibernetikën, Meink tha se SHBA-ja ishte e përgatitur për “kërcënimet në zhvillim”, por nuk dha detaje mbi aftësitë e armës apo se kur ajo ishte vendosur në orbitë.
Udhëheqës të lartë ushtarakë kanë deklaruar më parë se planifikojnë të rrisin kapacitetet ushtarake në hapësirë, duke iu referuar programeve ruse dhe kineze që po zhvillojnë mënyra për të sulmuar dhe penguar satelitët amerikanë në një konflikt të ardhshëm.
Administrata Trump ka deklaruar se kapacitetet e bazuara në hapësirë, së bashku me raketat interceptuese, janë pjesë thelbësore e sistemit të planifikuar të mbrojtjes “Golden Dome”, i cili synon të mbrojë SHBA-në nga raketat dhe kërcënime të tjera ajrore.
Një traktat i vitit 1967 ndaloi vendosjen e armëve të shkatërrimit në masë në orbitë. Që atëherë, fuqitë kryesore, përfshirë SHBA-në, Rusinë dhe Kinën, kanë eksploruar kapacitete të tjera që nuk mbulohen nga traktati, si mundësia për të goditur satelitët e rivalëve, të cilët janë thelbësorë për komunikimet ushtarake, mbikëqyrjen dhe navigimin.
Vitin e kaluar, presidenti Donald Trump nxori një urdhër ekzekutiv që nënvizonte rolin e Forcave Hapësinore të SHBA-së jo vetëm në mbrojtjen e aseteve, por edhe si një forcë sulmuese, shkruan A2CNN.
Forcat Hapësinore të SHBA-së, dega më e re e ushtrisë amerikane në më shumë se 70 vjet, u krijuan në vitin 2019 për të mbrojtur asetet amerikane në hapësirë, përfshirë qindra satelitë të përdorur për komunikim dhe mbikëqyrje.