LAJME

Ish-ushtarët e UÇK-së në Hagë para verdiktit: Besojmë në lirimin e bashkëluftëtarëve

Ish-ushtarët e UÇK-së në Hagë para verdiktit: Besojmë në lirimin e bashkëluftëtarëve
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Shtator 2026, 10:50

Me flamuj kuq e zi dhe fotografi të ish-presidentit Hashim Thaçi e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur të mblidhen para objektit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, një ditë para shpalljes së verdiktit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Verdikti ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të jepet të mërkurën në orën 10 nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Porse transmetimi do të jetë me 10 minuta vonesë.

Në mesin e të pranishmëve te Gjykata, është edhe ish-ushtari i UÇK-së, Ismail Selmani, i cili tha se beson që vendimi i gjykatës do të jetë pozitiv për ish-krerët e UÇK-së.

Gjykimin e tyre Selmani e cilëson të padrejtë dhe të papranueshëm.

“Nesër besojmë dhe shpresojmë që gjykata të jep verdiktin pozitiv 99 përqind. Hashim Thaçi është një njeri që i shërbeu atdheut të tij dhe askujt tjetër. Të gjykohen këta syvenirët e kombit padrejtësisht, nuk e di si do të pranohet. Nuk duam që të ndodhin probleme, por në çoftë se ndodh kjo përgjegjësia e atyre udhëheqësve politik e jo e luftëtarëve”, tha ai.

Ai tha se ish-luftëtarët e UÇK-së kanë besuar në drejtësi dhe se pret që gjykata të japë një vendim të bazuar sa më profesional.

“Ne kërkojmë të drejtat tona se i kemi besuar drejtësisë, ne i kapëm armët që të çlirojmë vendin tonë. Ne besojmë se gjykata speciale në këtë rast nuk do të dështojë, do të jap verdiktin e plotë në anën juridike nëse ka profesionalizëm, nëse nuk ka ne nuk mund t’i mësojmë ato anekset se çka mund të bëjmë. Më mirë le të dënohet shteti serb i tëri sesa populli shqiptarë ose krerët e UÇK-së themeluesit e popullit tonë”, tha ai.

Tash e gjashtë vite, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi po përballen me procesin gjyqësorë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Të njëjtit akuzohen për krime kundër njerëzimit, për të cilën prokurorja kishte kërkuar nga 45 vite burgim për secilin prej tyre./KP

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika