Mbi 8 mijë persona dyshohet se ende ndodhen nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara në Gaza, ndërsa trupat dhe mbetjet njerëzore vazhdojnë të nxirren nga rrënojat, gati tre vjet pas nisjes së luftës.
Përballë kësaj situate, Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit që t’u lejojë hetuesve ndërkombëtarë qasje në të gjitha pjesët e Gazës, me qëllim dokumentimin dhe mbledhjen e provave.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar që hetuesit të kenë mundësi të inspektojnë vendet e shkatërruara, të identifikojnë viktimat dhe të ruajnë të dhënat forenzike.
Sipas Mbrojtjes Civile Palestineze, vetëm që nga nëntori i vitit të kaluar janë nxjerrë mbi 630 trupa dhe mbetje njerëzore nga nën ndërtesat e shembura në Gaza.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha se në disa raste janë gjetur mbetje që dyshohet se u përkasin familjeve të tëra.
Ai paralajmëroi se zbulimet nën rrënoja ngrenë sërish shqetësime për krime lufte dhe krime të tjera të rënda.
“Çdo përpjekje e mundshme duhet të bëhet për t’i dokumentuar dhe identifikuar këto viktima, për të ruajtur informacionet forenzike dhe mostrat biologjike, për të regjistruar vendet e varrimit dhe për të informuar familjet e tyre”, tha Türk.
OKB-ja thekson se fakti që një pjesë e madhe e mbetjeve të gjetura u përkasin grave dhe fëmijëve është një tjetër element që, sipas saj, duhet të hetohet në kuadër të dyshimeve për shkelje të ligjeve të luftës.
Lufta nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku sipas të dhënave zyrtare izraelite u vranë të paktën 1,195 persona.
Pas sulmit, Izraeli nisi një fushatë të gjerë bombardimesh dhe operacione tokësore në Gaza, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha në territor.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila vepron nën autoritetin e Hamasit, thotë se numri i palestinezëve të vrarë në ofensivë ka kaluar 73 mijë.
Thirrja e OKB-së për qasje të plotë të hetuesve ndërkombëtarë vjen në një kohë kur përmasat e humbjeve njerëzore ende nuk janë dokumentuar plotësisht dhe mijëra persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.