Ushtria amerikane ka hedhur ndihma nga ajri në Rripin e Gazës të premten (08.03.2024), pasi enklava bregdetare palestineze po përballet me një katastrofë humanitare, raporton Reuters.
Kjo është hera e katërt që ushtria amerikane hedh ndihma nga ajri për palestinezët në Gazë brenda një jave.
Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE i ka detyruar shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë të kësaj enklave të zhvendosen brenda vendit dhe ka shkaktuar mungesë të madhe ushqimi, uji dhe barnash.
Presidenti amerikan Joe Biden i cili njoftoi për hedhjen e parë të ndihmave nga ajri javën e kaluar – tha të enjten se ushtria amerikane do ta ndërtojë një port në Rripin e Gazës, për të mundësuar furnizim më të madh më ndihma në këtë territor përmes detit.
Të martën, SHBA-ja dhe Jordania i hodhën me parashutë më shumë se 36.800 ushqime në Gazë, tha ushtria amerikane.
Furnizimi me ndihma në Gazë, i përkeqësuar prej se nisi lufta më 7 tetor, është kufizuar skajshëm në muajin e fundit. Pjesë të tëra të këtij territori nuk kanë aspak qasje në ushqim.
SHBA-ja i hodhi ndihmat e para nga ajri të shtunën, në bregdetin e Gazës jugperëndimore.