LAJME

SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, shmangni retorikën nxitëse

SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, shmangni retorikën nxitëse
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Shtator 2026, 14:18

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika