Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i ka reaguar deklaratave mohuese që kanë ardhur nga Rusia për masakrën në Reçak të Kosovës dhe krimet në Bucha tash së fundmi në Ukrainë.
Hovenier shkroi në Twitter se mohimi i historisë së dokumentuar për Reçakun çnderon kujtimin për të vdekurit, teksa ka shtuar disa dokumente të organizatave evropiane që faktuan masakrën e Reçakut.
“Përpjekjet për të rishkruar dhe mohuar historinë e mirë-dokumentuar të masakrës së Reçakut lartësojnë krimet e luftës, çnderojnë kujtimin e të vdekurve dhe rihapin plagët e të mbijetuarve. Ata që mohojnë mizoritë në Reçak kërkojnë të pengojnë përparimin drejt pajtimit rajonal, konsolidimit demokratik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, shkroi ai të premten.





