Zv.ndihmëssekretari amerikan për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, i ka dhënë të drejtë Qeverisë së Kosovës për zbatim të reciprocitetit me Serbinë, por shtoi se veprimi i fundit për reciprocitet për targa i ka zënë në befasi
Escobar, në një audiokonferencë, pak orë pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat, tha se të dyja vendet i pret rrugë e gjatë në dialog.
“Është e drejtë e qeverisë së Kosovës për të aplikuar reciprocitet. Implementimi aktual na zuri shumicën prej nesh në befasi, por kjo do të ndodhte. Dhe jam i lumtur që ishim në gjendje të ulnim tensionet”, tha Escobar. “Jam i kënaqur me përkushtimin e palëve dhe përkushtimin e Brukselit për gjetjen e zgjidhjes sa i përket situatës në veri. Me partneritetin që kemi me BE-në mund të ndihmojmë në tejkalimin e problemeve të trashëguara në Ballkanin Perëndimor nga vitet 90-ta. Kemi rrugë të gjatë përpara në dialog, do të japim mbështetje ne plotë për Lajçakun dhe ekipin e tij për një zgjidhje konstruktive”.





