LAJME

SHBA-ja dhe Irani kryejnë sulme të reja ndërsa luftojnë për kontrollin e Gjirit Persik

SHBA-ja dhe Irani kryejnë sulme të reja ndërsa luftojnë për kontrollin e Gjirit Persik
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Maj 2026, 08:01

SHBA-ja dhe Irani kanë kryer sulme të reja në Gjirin Persik të hënën, ndërsa kanë luftuar për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit me bllokada detare të ndërsjella, duke rrezikuar armëpushimin e brishtë, ka raportuar të martën (05.05.2026) agjencia e lajmeve, Reuters.

Breshëria e re e raketave dhe dronëve erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nisi përpjekjen e re për t’i kaluar tankerët e bllokuar dhe anijet e tjera përmes ngushticës, pikës kyçe të tregtisë së energjisë që është praktikisht e mbyllur që kur SHBA-ja dhe Izraeli filluan sulmet ndaj Iranit në shkurt, një luftë që ka vrarë mijëra njerëz në mbarë rajonin.

Në orët e fundit të së hënës, disa anije tregtare në Gjirin Persik raportuan shpërthime ose zjarre, ndërkaq SHBA-ja njoftoi se kishte shkatërruar gjashtë anije të vogla ushtarake iraniane. Irani ka sulmuar një port nafte në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ndodhet një bazë të madhe ushtarake amerikan që u përfshi nga flakët.

Trump dha pak detaje rreth përpjekjes së re, të cilën e quajti “Projekti Liria”, për të ndihmuar anijet e bllokuara të udhëtonin nëpër ngushticë kur e shpalli në mediat sociale dy ditë pasi kishte kaluar afati ligjor sipas ligjit amerikan që të merrte autorizimin nga Kongresi për luftën. Trump i ka deklaruar Kongresit se lufta ka “përfunduar” dhe se afati është i diskutueshëm, pretendim i kundërshtuar nga disa ligjvënës.

Ishte përpjekja e parë e dukshme për të përdorur forcën ushtarake që nga njoftimi i armëpushimit të muajit të kaluar për të zhbllokuar rrugën më të rëndësishme të transportit detar të energjisë në botë, të cilën Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka thënë se mund të zhvillohet vetëm me lejen e saj. Kostoja e sigurimit të transportit detar është rritur gjithashtu. Për javë të tëra, Marina amerikane ka bllokuar tregtinë e Iranit nga deti, të cilën Irani e quan akt lufte.

Por lëvizja e fundit e presidentit Trump, të paktën fillimisht, duket se ka pasur efekt të kundërt, duke mos sjellë asnjë rritje të trafikut të anijeve tregtare, ndërsa provokoi një shfaqje force nga Irani, i cili ka kërcënuar të përgjigjet ndaj çdo përshkallëzimi me sulme të reja ndaj fqinjëve të tij që strehojnë ushtarë amerikanë. Kompanitë kryesore të transportit detar thanë se ka të ngjarë të presin për një fund të negociuar të armiqësive para se të përpiqen të kalojnë Ngushticën./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika