Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar lidhur me ndarjen buxhetore për festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest, duke theksuar rëndësinë që ky festival ka për identitetin kulturor të qytetit dhe të Kosovës në përgjithësi.
“DokuFesti është emblema kulturore e Prizrenit dhe e gjithë Kosovës. Falë vizionit të organizatorëve, përkrahjes së qeverisjes lokale dhe qendrore ndër vite, si dhe ndihmës nga donatorët, ky festival është shndërruar në një histori suksesi ndërkombëtare,” tha Totaj në një reagim publik.
Ai theksoi se si qytetar dhe tashmë si kryetar komune, ka konsideruar gjithmonë të domosdoshme mbështetjen e vazhdueshme për këtë ngjarje të rëndësishme kulturore. Totaj bëri gjithashtu një krahasim me periudhën e qeverisjes së kaluar, duke nënkuptuar një ndryshim në qasjen ndaj financimit të aktiviteteve kulturore.






