Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e ka akuzuar Qeverinë për mostransparencë, për mungesë bashkëpunimi dhe korrektësie.
Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Totaj ka thënë se sa i përket buxhetit të ndarë për vitin 2025, komuna të cilën e drejton, bashkë me atë të Prishtinës marrin më pak mjete se ajo e Podujevës, e cila drejtohet nga partia që është në pushtet qendror.
“Prishtina si kryeqytet dhe Prizreni si kryeqytet kulturor bashkë marrin më pak se Podujeva, kjo mendoj se është ilustrim i mjaftueshëm. Qeveria duhet të jetë më transparente, më bashkëpunuese, më racionale dhe më korrekte. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë benefit sepse nuk ka pasur gatishmëri për bashkëpunim”, ka thënë Totaj.
Ai tutje ka shtuar se po të ndaheshin më shumë mjete, do të kishte më shumë projekte të realizuara.
“Po të kishim pasur më tepër mjete, do të kishim realizuar më shumë projekte.
Mjetet e ndara për komunën tonë janë 800 mijë euro”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për rrugën Tetovë-Prizren, Totaj ka thënë se ajo rrugë nuk do të përfundojë asnjëherë dhe se kryeministri Albin Kurti bën propagandë me premtimin për këtë projekt.
“Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, ajo rrugë nuk do të përfundojë kurrë. Ajo rrugë është propagandë, spekulim i kryeministrit për ta manipuluar opinionin publik kinse po bëjmë diçka. Ajo rrugë nuk mund të përfundojë pa nënshkruar marrëveshje me Maqedoninë e Veriut”, është shprehur ai.