Për të katërtën herë qytetarët e Tërnocit të Bujanocit do t’i drejtohen kutive të votimit.
Krejt kjo, pasi që Gjykata Administrative në Serbi ka aprovuar ankesën e listës “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” për anulimin e zgjedhjeve të 27 majit në vendvotimin nr.6 në këtë fshat, shkruan Front Online.
Qytetarët e Tërnocit edhe do të jenë vendimtarët se a do të ketë një deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, pozitë të cilën e kishte dhe po e synon përsëri, Shaip Kamberi.
Zgjedhjet do të mbahen më 23 qershor, ndërsa Kamberit i nevojiten rreth 650 vota, derisa votues të regjistruar janë 1089.
Lidhur me këtë për Front Online, vet Kamberi, ka thënë se pavarësisht rezultatit final shpreson që të mos ketë vota për Partinë Socialiste.
“Shpresoj, që kësaj radhe, në Tërnoc, pavarësisht rezultatit final, të mos ketë vota për Partinë Socialiste e cila ishte kreatore i idesë së vrasjeve masive dhe deportimeve të shqiptarëve në të kaluarën. Pastërtia e Tërnocit duhet ruajtur pavarësisht se a do të arrijmë qëllimin final, atë të votave të mjaftueshme për një deputet”, është shprehur Kamberi për Front Online.
Ai thotë se jo të gjithë votuesit e regjistruar do të mund të votojnë më 23 qershor.