Shaban Gogaj është dënuar me dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj burgim për rastin e vrasjes e Agonis Tetajt, pas rigjykimit.
“I akuzuari Shaban Gogaj është fajtor për shkak të veprës penale ‘vrasje nga pakujdesia’, ‘mbajtja në kontroll, posedimi i paautorizuar i armës’. I akuzuar Isuf Cacaj është fajtor për shkak të veprës ‘mbajtja në kontroll, posedimi i paautorizuar i armës’. Gjykata të akuzuarit i gjykon: Të akuzuarit Shaban Gogaj për vrasje nga pakujdesia i cakton dënim me burgim me pesë vjet, për “mbajtje në kontroll, posedimi të paautorizuar të armës” tri vjet. Dënim unik i shqiptohet 7 vjet e gjashtë muaj”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.
Agonis Tetaj është qëlluar me armë zjarri më 23 shtator të vitit 2018 në vendin e tij të punës nga Shaban Gogaj, djali i pronarit të firmës ku ishte angazhuar tashmë i ndjeri.
Më 14 tetor 2022 Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar kështu me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt
Trupi gjykues, në shpallje të aktgjykimit, e kishte rikualifikuar veprën penale me të cilën akuzohej Gogaj, nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.
Pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësit të Shaban Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 e kishte kthyer lëndën në rigjykim.
Apeli kishte vlerësuar se Themelorja nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale.





