Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka vazhduar ta mohojë Masakrën e Reçakut.
Daçiq në konferencë për media ka thënë se nuk ka njovtoj se Prokuroria e Kosovës ka lëshuar urdhërarreste për 18 serbë në lidhje me Masakrën e Reçakut, raporton “Tanjug”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën, në përvjetorin e 24-të të Masakrës së Reçakut, ka thënë se janë lëshuar 18 urdhërarreste në lidhje me masakrën ku u vranë 45 civilë shqiptarë.
Daçiq ndërkohë ka thënë se “ngjarja në Reçak në vitin 1999 është keqpërdorur që në fillim si alibi dhe arsyetim ndaj ish-Jugosllavisë së atëhershme dhe po vazhdon edhe tash”.
Daçiq tha se “ish-kreu i misionit verifikues të OSBE-së, William Walker, tha se bëhet fjalë për një masakër dhe se zyrtarët amerikanë folën gjithashtu për atë se janë vrarë gra e fëmijë para se të bëhej ndonjë hetim a ka qenë aksion i armatosur nga shqiptarët apo bëhej fjalë për civilë”.
“Dëshiroj t’ju kujtoj që William Walker, i cili në atë kohë ishte në kryesi të misionit verifikues të OSBE-së, menjëherë e kishte shpallur se ajo ngjarje në Reçak ka të bëjë me masakër. Për më shumë edhe zyrtarët amerikanë flisnin se janë të vrarë fëmijët, gratë etj. Që do të thotë se, para se të bëhej një lloj analize se a ishte ajo aksion i armatosur në mes të formacioneve të armatosura të shqiptarëve apo kishte të bëjë me civilë. Lidhur me këtë ngjarje kishte shumë fjalë në të kaluarën. Unë them që ai rast është përdorur si arsye për bombardimin e Serbisë. E gjitha kjo ishte një inskenim, se gjoja kishte ndodhur masakër apo vrasje të civilëve. Kjo ngjarje është përleshje e armatosur në mes të grupeve terroriste dhe policisë sonë. Kjo është e vërteta e plotë”, tha Daçiq.