Duke paraqitur rezerva ndaj deklaratës së miratuar në samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Serbia ka konfirmuar se nuk e ka ndërmend ta zbatojë Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve me Kosovën dhe aneksin e implementimit të saj të dakorduar në Ohër.
Ndonëse në Deklaratën e Samitit BE – Ballkan Perëndimor thuhet se asaj deklarate i janë bashkangjitur edhe vendet e rajonit, burimet diplomatike të KOHËS thonë se Serbia ka paraqitur rezerva përmes së cilave ka bërë të qartë se pranimi i tekstit të deklaratës nga ana e saj nuk nënkupton edhe pranimin de facto apo de jure të Kosovës.
“Republika e Serbisë thekson se kjo mbështetje nuk nënkupton pranimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së dhe as të ashtuquajturin integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në letrën që e ka paraqitur Serbia.





