Autoritetet serbe kanë dërguar në paraburgim drejtorin e Administratës në Komunën e Leposaviqit, Nikolla Radimiroviq, i cili është arrestuar sot bashkë me të fejuarën e tij nga Policia e Serbisë, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
“Radimiroviqin janë duke e dërguar në paraburgim në Beograd nën akuzat për ‘terrorizëm e cenim të rendit Kushtetues në Serbi’, ndërkohë që e fejuara e tij është liruar”, thotë i njëjti burim.
Kjo nuk është hera e parë që Serbia persekuton serbët e Kosovës. Vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se “drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit së bashku me të fejuarën e tij po mbahen të arrestuar për arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës”.





