KQZ-ja ka zgjedhur zyrtarët ekzekutivë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë. Zyrtarët e mëparshëm që ishin larguar në kohën e dorëheqjeve të koordinuara nuk janë kthyer në pozita, por ato janë plotësuar me të rinj, nëpërmjet konkursit. Njohës të zhvillimeve politike thonë se me këtë ka nisur riintegrimi i serbëve në institucionet e Kosovës, të cilat i kanë braktisur rreth dy vjet më parë.
Serbë të komunave të veriut të Kosovës kanë nisur t’u kthehen institucioneve të shtetit, të cilat i braktisën dy vjet më parë, me kërkesë të Listës Serbe, subjekt politik që mban lidhje të forta me Beogradin zyrtar.
Përmes një konkursi të hapur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka rekrutuar zyrtarët ekzekutivë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ) në këtë pjesë, pozita të cilat janë lënë bosh që prej dorëheqjes së orkestruar nga të gjitha institucionet lokale e qendrore.
Zyrtarët e rinj të kontraktuar i përkasin etnisë serbe dhe nuk janë ata që ishin dorëhequr. Të rinjtë do t’i menaxhojnë qendrat komunale të KQZ-së në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok. Ata kanë lidhur marrëdhënie pune në prag të zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Në të dy proceset e fundit të votimeve që janë organizuar në këto komuna – njëri për zgjedhjen e kryetarëve të rinj pas dorëheqjes së serbëve, dhe tjetri për shkarkimin ose jo të kryetarëve të rinj – zyrat e këtyre komisioneve kanë pasur vështirësi të shumta funksionimi në mungesë të zyrtarëve e edhe për shkak të sulmeve nga serbët lokalë.
Në KQZ shprehën pritjen se për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk do të kenë këso sfidash.
“Të gjitha Komisionet Komunale të Zgjedhjeve janë funksionale, përfshirë edhe të komunave Zveçan, Zubin-Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në objekte shtetërore. Pas zhvillimit të procedurave të konkursit të hapur, KQZ-ja ka përzgjedhur katër zyrtarët ekzekutivë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto komuna”, thuhet në një përgjigje të shkruar që KOHËS ia dha KQZ-ja.
E, Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së i propozuar nga Partia Demokratike, ka thënë se punën e Bojan Orlloviqit në Zveçan, Xhorgje Petroviqit në Leposaviq, Çedomir Xhorxheviqit në Zubin Potok dhe Ivana Kompiroviqit në Mitrovicë të Veriut do ta lehtësojnë edhe zyrtarë tjerë të komunave përreth.
“Tanimë procesi ka përfunduar. Janë zgjedhur katër zyrtarë në këto komuna, por nuk janë vetëm ata. Ne do t’u japim mbështetje edhe përmes katër komunave në regjion”, ka thënë ai.
Në dy proceset paraprake të votimit në komunat e veriut, Komisionet Komunale Zgjedhore janë drejtuar nga zyrtarët ekzekutivë të komunave të tjera: Në Mitrovicë të Veriut ka qenë Zyrtari Ekzekutiv i Mitrovicës së Jugut, nëZubin Potok ai i Skenderajt, në Zveçan ai i Drenasit e në Leposaviq Zyrtari Ekzekutiv i Vushtrrisë./koha.net/