Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Driton Selmanaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të vendit.
Sipas tij, zgjedhja e Presidentit është përgjegjësi shtetërore dhe detyrim kushtetues, jo mjet për lojëra politike.
Reagimi i plotë:
Zgjedhja e Presidentit është përgjegjësi shtetërore dhe detyrim kushtetues, jo mjet për lojëra të ulëta politike politike.
Albin Kurti po e përdor këtë proces për ta thelluar krizën dhe mbajtur vendin të bllokuar e të izoluar.
Kjo nuk është rastësi. Kur mungojnë rezultatet në qeverisje, kur nuk ka gatishmëri politike dhe institucionale për vendime pragmatike për të ardhmen e vendit, kur nuk ka projekte madhore dhe investime që preken nga qytetarët, bllokada shndërrohet në strategji.
Në vend të zgjidhjeve, ofrohet krizë; në vend të përgjegjësisë, prodhohet tension dhe izolim.
Paaftësia për të qeverisur dhe ndërtuar politika zhvillimore po maskohet me përplasje të vazhdueshme dhe me një klimë të qëllimshme ngërçi që e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja. Kjo është e dëmshme për shtetin dhe për secilin qytetar.
Kosova nuk ka nevojë për bllokada të planifikuara, por për lidership që zgjidh probleme, sjell investime dhe garanton stabilitet institucional.