Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zëvendëskryeministri në detyrë, Driton Selmanaj, në një intervistë të gjatë për Gazetën Express ka folur për të gjitha proceset politike, që nga negociatat për koalicion me VV’në, rrëzimin e Kurtit, largimin e Vjosa Osmanit, Specialen, zgjedhjet e reja e dialogun. Selmanaj ka thënë se veprimi më i mirë i LDK’së në 30 vjetët e fundit ka qenë rrëzimi i Kurtit nga pushteti, dhe, sipas tij, eksperimenti më i keq që ka bërë LDK’ja e nga i cili duhet të marrë mësim është nominimi i Vjosa Osmanit si kandidate për kryeministre pas gjithë kundërshtimeve të saj ndaj partisë.
Për Kurtin ka thënë se e ka shndërruar Vetëvendosjen në një lavatriqe që pastron figura të ndotura historikisht në Kosovë, derisa për Vjosa Osmanin thotë se s’ka të ardhme politike.
Ai e lavdëroi Hotin, meqë, sipas tij, Qeveria Hoti e ka kthyer Kosovën në binarë sa u përket raporteve me Amerikën, derisa e ka përmendur edhe arritjen e marrëveshjes së Uashingtonit.
“E kthyem Kosovën aty ku e ka vendin, sepse filloi implementimi i sanksioneve, na bllokuan fondet e MCC-së. Jo që i zhbllokuam ato, por edhe e arritëm marrëveshjen në Uashington për të sjellë 1 miliard dollarë investime”, shtoi Selmanaj.
Anëtari i LDK’së në këtë intervistë ka folur edhe për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre. Për të dyja rastet thotë se kanë qenë kërkesa të kohës, por eksperimente të këqija për Kosovën dhe Lidhjen Demokratike, nga të cilat duhet marrë mësim.
“Edhe kandidimi i Vjosës, edhe koalicioni me VV’në kanë qenë kërkesa të kohës, por eksperimentale. Eksperiment jo i mirë për Kosovën dhe jo i mirë për LDK’në”, tha Selmanaj.
Për koalicionin me Kurtin ka thënë se kanë besuar që do të funksionojë, bazuar në bashkëpunimin paraprak në opozitë, megjithatë potencon se pas marrëveshjes janë tradhtuar.
“Shumë shpejt u tradhtuam dhe kuptuam që VV’ja s’na sheh si partner, por na sheh si mundësi për të na instrumentalizu në favor të vetin dhe pas një kohe për të hedhur për toke bashkëpunimin”, tha Slemanaj.
Ai ka thënë se Vetëvendosja ka bërë një “lojë djallëzore”, kur i është afruar LDK’së për bashkëpunim opozitar, meqë, sipas Selmanajt, një gjë të tillë Kurti e ka bërë për ta rimarrë veten pas ndarjes së partisë.
Edhe sa i përket kandidimit të Vjosa Osmanit për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit, Selmanaj thotë se ka qenë një eksperiment nga i cili partia duhet të marrë mësim.
Selmanaj thotë se kandidimi i Vjosës pas gjithë atyre qëndrimeve kundër LDK’së ka qenë eksperimenti më i keq i veprimit 30-vjeçar të LDK’së.
“Nuk mund të ndërtohet standardi brenda LDK’së, kur një person vepron kundër interesave të partisë, madje kur s’e voton kandidatin për kryeministër të partisë, s’i voton politikat e partisë, demarkacionin, për të cilin më pas e morëm në qafë Kosovën, nuk arritëm ta marrim liberalizimin. Madje madje, zonja Osmani pati dalë edhe në një protestë të përbashkët me Vetëvendosjen, përkundër që qëndrimi i LDK’së ishte që të mos bashkohet në atë protestë dhe pas gjithë këtyre veprimeve të njëpasnjëshme kundër LDK’së, partia në fund vendos ta nominojë për kryeministre, unë besoj që ky ka qenë eksperimenti më i keq që LDK’ja e ka bërë në 30 vjet të veprimit politik”, ka thënë Selmanaj.
Tutje, zyrtari i LDK’së thotë se partia e tij i ka humbur zgjedhjet, meqë Vjosa Osmani e kopjoi Kurtin dhe një veprim të tillë e cilëson si gabim të rëndë.
“LDK’ja provoi që me një model të Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit të provojë të futet në garë dhe kemi gabuar rëndë dhe jemi në një fazë ku po i rikuperojmë dëmet që na janë shkaktuar”, ka shtuar Selmanaj.
Përveç tjerash, Selmanaj ka thënë se bashkëpunimi Osmani-Kurti ka shumë pikëpyetje para vetes sa u përket qëndrimeve për Kosovën, demokracisë e miqësive me Perëndimin.
Zëvendëskryeministri në detyrë tutje thotë se prishja e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë një prej vendimeve më të mëdha dhe më të mira të LDK’së në 30 vjetët e aktivitetit politik.
Në këtë intervistë për Express’in, Selmanaj thotë se qysh në ditët e para kishin parë që gjërat nuk po funksionojnë, meqë VV’ja kishte menduar se LDK’ja do t’i nënshtrohet Kurtit.
Prishjes së koalicionit thotë se një shtytje të madhe ia ka dhënë qëndrimi i Kurtit karshi SHBA’së dhe sanksionet që Uashingtoni kishte vendosur për Kosovën.
“Me mendu pas 20 vjetëve që Amerika të vendosë sanksione, një krijese të veten, kjo është e trishtueshme vetëm për ta menduar. Faza e parë ishin fondet e MCC-së, faza e dytë ndalimi i bashkëpunimit me FSK’në, tërheqja e trupave, ndalja e fondeve të USAID-it. Pra, e prekën LDK’në dhe Kosovën në pjesën më të lavdishme që e ka vendi”, shtoi anëtari i LDK’së.
Sipas tij, arsye tjera kanë qenë edhe shkelja e marrëveshjes së koalicionit e shkarkimi i Agim Veliut. Ai thotë se kanë pasur informacione që Kurti do të vazhdonte të shkarkonte njëjtë edhe ministrat tjerë të LDK’së.
“Unë jam i bindur që (rrëzimi i Qeverisë Kurti) ishte ndër vendimet më të mëdha dhe më të rëndësishme e më të mira për Kosovën që LDK’ja i ka marrë në 30 vjetët e fundit. Vazhdimi i asaj qeverisjeje mund të shkaktonte shumë dëme, për LDK’në dhe për Kosovën, jam i bindur për këtë”, ka potencuar Selmanaj.
I pyetur nëse mendon se LDK’së do t’i kushtojë prishja e koalicionit të quajtur “koalicion i shpresës” me qëllim të ruajtjes së raporteve me një administratë jokonvencionale amerikane, Selmanaj thotë se kanë qenë të bindur se rrëzimi i Kurtit në mes të pandemisë s’ka qenë vendim popullor, por thotë se mes një qasjeje të tillë dhe interesit shtetëror, duhet zgjedhur gjithmonë të dytën.
“Ne duhet ti tregojmë këtij populli që prishja e koalicionit me Amerikën është shumë ma e dëmshme sesa pandemia, e cila mund të përfundojë nesër. Ne kemi marrë një vendim jopopullor por të domosdoshëm për vendin”, tha Selmanaj.