LAJME

Selmanaj: Mospjesëmarrja në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së ishte vendimi im personal, pavarësisht ftesës dhe mbështetjes së madhe

Selmanaj: Mospjesëmarrja në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së ishte vendimi im personal, pavarësisht ftesës dhe mbështetjes së madhe
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Maj 2026, 10:12

Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren dhe shefi i shtabit zgjedhor të këtij subjekti politik në këtë komunë, Driton Selmanaj, ka sqaruar se mospjesëmarrja në garën zgjedhore të 7 qershorit, ishte vendim personal i tij, pavarësisht ftesës dhe kërkesave për ta vazhduar këtë rrugëtim politik.

“Të nderuar miq, shokë e dashamirë. Pas shumë pyetjeve se pse nuk jam pjesë e garës, ju njoftoj se ky ka qenë vendimi im personal. Këtë herë kam zgjedhur t’a dëgjoj veten, qetësinë time dhe dinjitetin tim. Edhe pse kam pasur ftesë për të qenë pjesë e garës, si dhe shumë kërkesa e mbështetje nga qytetarë, miq e bashkëpunëtorë për të vazhduar këtë rrugëtim, këtë herë kam vendosur të mos kandidoj. Sot dal para jush e pastër dhe krenare për besimin që më keni dhënë. Votat mund të m’i marrni, por dinjitetin, punën dhe respektin e qytetarëve nuk do m’i merrni kurrë” – theksoi ai në një postim në Facebook.

Selmanaj falënderoi kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, për siç thotë ai, mundësine dhe korrektësinë e treguar ndaj tij, si dhe qytetarët që i foruan mbështetje në zgjedhjet e kaluara, më 28 dhjetor 2025.

“Falenderoj kryetarin Shaqir Totaj për mundësinë dhe korrektësinë e treguar ndaj meje, si dhe secilin qytetar që më ka mbështetur pa hezitim në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Mbështetja juaj është forca ime më e madhe dhe për këtë do t’ju jem gjithmonë mirënjohëse” – u shpreh Selmanaj.

Ai bëri të ditur se në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare do të jetë plotësisht i angazhuar për mobilizimin dhe fitoren e LDK-së.

“Përgjatë gjithë angazhimit tim politik, kam besuar se LDK-ja nuk është thjesht një subjekt politik, por një ideal, një mision shtetformues, një identitet politik dhe moral që ka mbajtur gjallë shoqërinë tonë, frymën institucionale dhe orientimin perëndimor të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, çdo përgjegjësi që më është besuar e kam trajtuar me përkushtim, me kujdes e ndershmëri dhe respekt ndaj vendit tim dhe anëtarësisë sonë të jashtëzakonshme. Edhe në këto zgjedhje, si Kryetar i Degës dhe Shef i Shtabit Zgjedhor në Prizren, do të jem plotësisht i angazhuar për mobilizimin dhe fitoren e LDK-së, sepse besoj se Kosovës i duhet një LDK e fortë dhe me vizion të qartë shtetëror. E me gjithë këtë, përkundër kërkesave të mëdha nga anëtarësia dhe strukturat tona, unë kësaj radhe kam vendosur që të mos jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë” – shkruan tutje Selmanaj.

Selmanaj theksoi se ky nuk është vendim kundër LDK-së, përkundrazi tha ai, është një vendim për ta ruajtur dinjitetin politik dhe për të mos lejuar që kontributi politik të matet me standarde të momentit apo nevoja të përkohshme.

“LDK-ja është më e madhe se secili prej nesh. LDK-ja është një ideal, është bindje është historia jonë përplotë lavdi dhe e ardhmja që garanton stabillitet dhe zhvillim të shtetit tonë! Unë do të vazhdoj të jem aty ku kam qenë gjithmonë — në shërbim të LDK-së dhe të qytetarëve që besojnë në frymën rugoviane, në përgjegjësinë shtetërore dhe në politikën me dinjitet. Jam i bindur se LDK do ta rigjejë forcën për t’u kthyer plotësisht te vlerat e saj burimore, aty ku parimet dhe merita janë themeli i çdo vendimi. Faleminderit secilit për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Zoti e bekoftë LDK-në, Zoti e bekoftë Kosovën tonë!” – përfundoi ai.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika