Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë Kurti për, siç ka thënë, qasje të gabuar në dialogun me Serbinë. Ai tha se ky proces në katër vjetët e fundit ka qenë më jo transparenti në historinë e tij.
Duke iu referuar Marrëveshjes bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thotë se njëjta është e dëmshme për vendin. Përkitazi me këtë ai shton se Qeveria Kurti i ka sjellë vendit një draftstatut të asociacionit, i cili është i papranueshme për Kosovën.
Selmanaj për KosovaPress shprehet pesimist edhe për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
“Procesi i dialogut në katër vjetët e fundit ka qenë më jotransparent në krejt historinë e vet të dialogut. Mosgatishmëri për të ardhur për të raportuar, mosgatishmëri për të raportuar në komisione parlamentare, madje mosgatishmëri edhe për të dhënë deklarata publike për një proces delikat dhe kompleks. Në fund, përfunduam me dy marrëveshje, një në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, që të dyja janë ndër marrëveshjet më të dëmshme që Kosova ka pranuar në historinë vet në negociata… Përfshirë edhe një draftstatut, i cili është krejtësisht i papranueshëm për Kosovën dolën si rezultat i këtyre negociatave të dëmshme që ka bërë kryeministri me asistentin e tij që është zëvendëskryeministër i vendit”, tha Selmanaj.
Sipas tij, Kosova, nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti ka hyrë në labirinte me shumë të panjohura.
“Kosova ka hyrë në labirinte me shumë të panjohura. Pesë ditë po të ishin nën sanksione do të duhet të ishim e gjithë shoqëria në shqetësim serioz, të mos themi të dalim të protestojmë në rrugë. Këta fatkeqësisht nuk e dinë se çfarë po bëjnë. Me këtë qeveri nuk jam optimist se do të bëhet diçka mirë”, deklaron ai.