Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, si dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka zhvilluar veprime hetimore lidhur me dyshimet se disa biznese për shitjen e arit në qytetin e Prizrenit janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore dhe tatimore lidhur me tregtimin e arit dhe argjendit.
Prokuroria bën të ditur se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore që kanë nisur nga data 19.09.2025, me urdhër të prokurorit të çështjes me datë 20.05.2026, janë realizuar kontrolle në gjashtë lokale afariste në qytetin e Prizrenit, si dhe në tri shtëpi banimi.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve janë siguruar dëshmi materiale dhe është hasur sasi e konsiderueshme e arit dhe argjendit të padeklaruar, ku si rrjedhojë është iniciuar rast ndaj katër personave për veprat penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore” nga neni 312 të KPRK-së.





