LAJME

Sekuestrohen produkte për trajtimin e flokëve me vlerë 4 mijë e 600 euro në kufirin e Vërmicës

Sekuestrohen produkte për trajtimin e flokëve me vlerë 4 mijë e 600 euro në kufirin e Vërmicës
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Gusht 2026, 08:54

Zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës kanë parandaluar një rast të tentim importit të mallrave të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.

Dogana bën të ditur se gjatë kontrolleve të rregullta në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtari doganor ndaloi për kontroll një automjet me targa të shteti fqinj. Sipas njoftimit, gjatë intervistimit, udhëtari, shtetas i huaj, deklaroi se nuk posedonte mallra apo mjete monetare për t’i deklaruar pranë autoriteteve doganore.

“Bazuar në indikatorët e analizës së rrezikut dhe dyshimet e krijuara gjatë kontrollit fillestar, zyrtari doganor kërkoi kryerjen e një kontrolli të detajuar të automjetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Si rezultat i kontrollit, u zbuluan produkte për trajtimin e flokëve me vlerë të përafërt prej 4,600 euro, për të cilat poseduesi nuk kishte dokumentacion përcjellës apo faturë që dëshmonte origjinën dhe importimin e rregullt të tyre.” – thuhet në njoftim.

Dogana thekson se përveç shmangies së obligimeve doganore, rasti paraqet edhe një rrezik potencial për shëndetin publik, pasi produktet kozmetike dhe ato për trajtimin e flokëve, kur importohen jashtë procedurave ligjore, nuk i nënshtrohen kontrollit të autoriteteve kompetente lidhur me sigurinë, përbërjen dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara për tregun e Republikës së Kosovës.

Sipas Doganës, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave, Ligji Nr. 08/L-247, veprimet e ndërmarra përbëjnë kundërvajtje doganore, sipas dispozitave të nenit 144, që sanksionojnë mosdeklarimin dhe tentimin për shmangie të kontrollit doganor të mallrave që futen në territorin doganor të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe administrative të parapara me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës thekson se mbetet e angazhuar në parandalimin e hyrjes dhe qarkullimit të mallrave të padeklaruara, duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika