Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Vërmicë, ka sekuestruar një sasi të mallrave në vlerë prej 33 mijë e 810 euro dhe kanë ndaluar një person të dyshuar.
Për mallrat e ndara në 233 pako, shmangia doganore ishte 10 mijë e 75 euro.
Ato janë zbuluar në një automjet, ngasësi i të cilit nuk i është bindur urdhrit për ndalim dhe është larguar nga pika e kontrollit.
Zyrtarët doganorë thuhet se i janë vënë në ndjekje automjetit dhe kanë arritur ta ndalojnë në autostradë. Sipas njoftimit automjeti, nën përcjellje zyrtare, është kthyer në pikëkalimin kufitar në Vërmicë për kontroll të detajuar.
“Gjatë kontrollit është konstatuar se automjeti transportonte dërgesa postare të destinuara për blerës në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut … Malli përfshinte artikuj të ndryshëm tekstili, këpucë, produkte kozmetike, aksesorë, produkte ushqimore dhe mallra të tjera konsumi”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Me urdhër të Prokurorit kompetent është iniciuar rast për vepër penale.
Sipas njoftimit i gjithë malli është sekuestruar dhe evidentuar sipas procedurave ligjore, ndërsa automjeti është konfiskuar përkohësisht dhe dërguar në hapësirat zyrtare të Doganës.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.