Policia ka njoftuar se festimet e ndërrimit të viteve në rajonin e Prizrenit kanë kaluar kryesisht pa incidente madhore dhe me atmosferë festive. Megjithatë, sipas policisë, jo të gjithë qytetarët kanë festuar në mënyrë të ligjshme.
Siç bën të ditur policia, së paku në pesë raste është raportuar për të shtëna me armë zjarri, tre nga ato janë raportuar për të shtëna festive.
Gjatë kësaj periudhe, policia njofton se ka sekuestruar katër armë zjarri dhe një sasi të municionit.
Sipas njoftimit, disa persona janë arrestuar, ndërsa tre prej tyre janë ndaluar për 48 orë.
Lidhur me rastet e evidentuara, ndaj të gjithë personave të përfshirë është iniciuar procedura penale dhe do të ngrihen kallëzime penale, thuhet në njoftim.
“Policia e Kosovës ka rikujtuar disa herë se përdorimi i armëve apo mjeteve të rrezikshme jo vetëm që është i kundërligjshëm, por paraqet rrezik serioz për jetën dhe pronën e qytetarëve. Përdorimi i tyre për festime bie ndesh me ligjin, andaj ndaj kujtdo që shkel ligjin, policia pa hezitim do të ndërmarrë veprimet e nevojshme, bazuar në procedurat dhe ligjet në fuqi. Mesazhi i Policisë së Kosovës: ‘Festo me zemër, jo me armë’.” – thekson Policia e Kosovës.
