Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, e ka cilësuar diskriminues vendimin e Qeverisë për ndarjen e shtesave nga 50 euro për punëtorët e sektorit publik për muajin janar.
Të mërkurën, Qeveria ndau nga 50 euro për punëtorët e sektorit publik si vazhdimësi e shtesave në katër muajt e fundit të vitit 2022, në kuadër të pakos së përballjes së inflacionit. Ministri i Financave Hekuran Murati u shpreh se edhe janari përfshihet me shtesa, për ta “përmbushur premtimin që shtesat do të jenë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave”.
Në një deklaratë për “EkonomiaOnline”, Azemi ka thënë se ndarja e sektorit publik nga ai privat është vendim “i turpshëm”.
“Ne po e shohim një shantazh, një diskriminim, një dënim të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës kur gjithë parametrat janë se punëtorët e sektorit publik dyfish i kanë pagat më të mëdha, dyfish punojnë më pak, dyfish respektohet ligji dhe marrëveshja kolektive, kurse tek punëtorët e sektorit privat të Kosovës dyfish, besa diku edhe katërfish, pagat tona janë më të vogla, katërfish më shumë se ata punojnë dhe realisht është një vendim i turpshëm”, ka thënë Azemi.
Mospërfshirjen e shtesave edhe për punëtorët e sektorit privat, Azemi e krahason me kohën e komunizmit. Ka thënë se kjo gjë ka ndodhur gjatë viteve 90’ta kur Kosova ka qenë në okupim të Serbisë.
Kryesindikalisti e ka konsideruar vendimin e Qeverisë Kurti edhe si dënim për sektorin privat.
“Sektori privat jo që po neglizhohet, por sektori privat po dënohet me të gjitha formacionet dhe njëfarë forme iu kanë sulur këtyre punëtorëve të sektorit privat të Kosovës, pasi që me ardhjen edhe të qeverive të kaluara po edhe kjo Qeveri nuk e kemi lëvizjen as më të vogël edhe sepse ju e dini që janë ngritur çmimet, kostoja e jetës është rritur dhe ne sot e asaj ditë kemi një pagë minimale që punëtorët e sektorit privat paguhen me 130 dhe 170 euro, e të cilët punëtorë i paguan Qeveria e Kosovës nga buxheti i vet, rreth 2 mijë punëtorë që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore”, ka thënë Azemi.