Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka deklaruar se duhet të krijohet një momentum i ri në rrafshin ndërkombëtar, i cili do të ishte në funksion të përmbylljes së temave të hapura. Sipas tij, Kosovës duhet t’i hapen dyert për anëtarësim në NATO dhe në Këshillin e Evropës, në mënyrë që të ruhet paqja dhe stabiliteti në Ballkan.
Në konferenca e Lidershipit në Ballkan“ Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, të Federatës Universale të Paqes, ai tha se Bashkimi Evropian duhet të lëvizë më shpejtë drejt integrimit të Kosovës.
“Është momenti krucial për Bashkimin Evropian dhe formacionet e tjera evropiane dhe përtej, që të shtrijnë edhe ndihmën, edhe mbështetjen, edhe lëvizjen më shpejtë drejt integrimit të Kosovës në to. Nuk është problemi a do të jemi anëtarë të tyre për shkak se do të shpërthejë lufta, është çështja e një qasje produktive esenciale për inkorporimin e kësaj pjese të Evropës, meqë jemi edhe gjeografikisht në asociimin e saj apo integrimin e saj të plotë, sesa të lihet dhe të vihet në pikëpyetje ajo që sot e kemi në Ukrainë, u vonua Bashkimi Evropian me pranimin e Ukrainës apo jo, u nxitua konflikti në anën tjetër, që të mos ndodh një diçka e tillë që është jashtëzakonisht e rrezikshme sot për sot për popullin Ukrainës, por është e rrezikshëm edhe në pjesën e asaj çfarë pretendohet të nxirret dhe të përplaset nga ky konflikt”, tha ai.





