Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se nesër, më 3 prill, në orën 11:00, do të mbahet seancë e jashtëzakonshme plenare, ku deputetët do të shqyrtojnë rritjen e çmimeve të naftës dhe ndikimin e saj në koston e jetesës dhe ekonominë e vendit.
Sipas njoftimit, pikë e rendit të ditës është shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në koston e jetesës, si dhe në stabilitetin ekonomik të vendit.
Kjo seancë do të mbahet pas kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkesë që u publikua nga Jehona Lushaku Sadriu, kryetare e Grupit Parlamentar të kësaj partie.
Në kërkesë thuhet se rritja e vazhdueshme e çmimeve të naftës nuk është vetëm një lëvizje tregu, por paraqet bazën e një krize ekonomike dhe sociale, me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në bizneset në vend. Aty theksohet se rritja e çmimeve të naftës reflektohet drejtpërdrejt në shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve, duke pasur parasysh varësinë e ekonomisë së Kosovës nga importi.
Po ashtu, në dokument vlerësohet se institucionet deri më tani nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa kërkohet që Qeveria të reagojë dhe të ndërmarrë hapa konkretë.
Ndër masat e propozuara përfshihen ulja e përkohshme e TVSH-së ose akcizës, subvencionimi i sektorëve më të ndjeshëm, si dhe mbështetja për transportin publik./RTK/