Sot në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pritet të vazhdojë dëshminë e saj dëshmitarja e parë.
Sikurse të martën edhe sot ajo pritet të dëshmojë në seancë të mbyllur për publikun.
Në Prokurorinë Speciale dhe në Gjykatë thanë për KOHËN se edhe seancat e së mërkurës dhe të së enjtes pritet që të mbahen të mbyllura në shumicën e kohës.
Seancat në Speciale janë përcjellë në vazhdimësi me ndërprerje të transmetimeve sa herë që është vlerësuar se ekziston rreziku për identifikimin e dëshmitarëve. Për këtë shkak është zbatuar vonesa prej 45 minutash në transmetim të tyre. Seanca e së mërkurës nis në orën 09:00.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, akuzohen nga Prokuroria Speciale për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999.
Në aktakuzën e konfirmuar në shkurt të 2023-tës, ata ngarkohen se morën pjesë drejtpërsëdrejti në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi në Kosovë e Shqipëri.
Aktakuza përfshin mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi i mohuan akuzat në fillim të procesit gjyqësor, përderisa mbrojtja, në shpalosjen e fjalës hyrëse, pretendoi se UÇK-ja nuk pati organizim hierarkik të tillë që parashihte që anëtarët e Shtabit t’i kontrollonin zonat operative e komandat lokale.