Ai ka konfirmuar planin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se “shpreson që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për këtë plan”.
Në këtë samit u nënshkruan tri marrëveshje mes gjashtë shteteve të BP-së.
Scholzi tha se gjashtë shtetet e BP-së janë pjesë e familjes evropiane.
“Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm për zgjerimin e BE-së. Jam i lumtur që mirëprita sot përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse në këtë Proces. Është kjo hera e tretë që takohemi në kuadër të këtij procesi që ka filluar nga viti 2014. Jam po ashtu shumë i lumtur që kisha këtu kryeministrin e Shqipërisë, vendi i të cilit do të drejtojë samitin e radhës”, tha ai, raporton Klankosova.tv.
Zhvillimet në BP dhe integrimi i tyre në BE “janë qenësore për mua sepse pranimi është në interesin tonë”, shtoi ai.
Kancelari gjerman tha se është me rëndësi të shtyjmë bashkëpunimin rajonal përpara në mes të gjashtë vendeve. “Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal është çelës i përshpejtimit të pranimit në BE”.
Procesi i Berlinit, tha ai, ka kontribuuar shumë në këtë drejtim, duke përmendur rrugë të reja, lidhje të reja, interkonjeksione të reja.
“Kështu është forcuar ekonomia dhe i është dhënë kontribut konkret drejt përmirësimit të pajtimit në rajon”.
Krijimi i tregut të përbashkët rajonal, tha ai, është në pajtim me ligjet e BE-së dhe i përfshin të gjitha vendet e rajonit.
Për energjinë, tha ai, një marrëveshje dhe një deklaratë e rëndësishme është nënshkruar. Vendet e BP-së janë pajtuar që të bashkëpunojnë më për së afërmi për energjinë dhe sigurinë, dhe në masat për mbrojtje klimatike në mënyrë që të arrihet synimi 2030.
“Ne, dhe pjesëmarrësit tjerë të Procesit të Berlinit, do të mbështesim shtetet e Ballkanit perëndimor në periudhë afatshkurtër dhe të mesme, por edhe në afatgjatë, në mëynrë që ta zbusim këtë krizë të energjisë dhje të fokusohemi në energji të ripërtërishme. Gjermania kontribuon në këtë aspekt përmes KfW-së”.
Ai shtoi se “Gjermania do ta mbështesë këtë proces në të ardhmen dhe ka vullnet që ta mirëpresë këtë samit sërish në të ardhmen, të cilin e mbështet edhe Komisionit Evropian”.