Kancelari gjerman Olaf Scholz, e ka paralajmëruar një vizitë në Ballkanin Perëndimor.
Ai tha para deputetëve të Bundestagut gjerman se kjo vizitë do të ndodhë para takimit të Këshillit Evropian, që do të mbahen në muajin e ardhshëm.
Scholz para ligjvënësve tha se zona e Ballkanit Perëndimor i takon Bashkimit Evropian.
“Respektimi i detyrimeve tona ndaj tyre nuk është vetëm çështje e kredibilitetit tonë. Sot, më shumë se kurrë, integrimi i tyre është në interesin tonë strategjik”.
Kancelari gjerman kujtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vite që përpiqen për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se nuk duhet të neglizhohen.
Ai e vuri ndikimin e forcave të jashtme në këtë rajon duke përfshirë edhe Rusinë.
Këshilli Evropian tha të mërkurën se krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin ftuar në Bruksel në ditën e parë të samitit të liderëve të BE-së më 23 dhe 24 qershor.
Bëhet e ditur se liderët e Bashkimit Evropian do të takohen me krerët e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë përpara fillimit të samitit.