As të premten, më 30 shtator. E as deri të martën, më 4 tetor.
Mësimdhënësve grevistë nuk u ka dalë asnjë cent nga paga e tyre për muajin shtator.
Isuf Lajqi nga Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, për “Front Online”, tha se nëse pagat nuk ekzekutohen deri të mërkurën më 5 tetor, SBASHK-u do ta mbledh anëtarësinë për të marrë një vendim se çfarë do të bëjnë tutje.
“Ne do të marrim mendimin e anëtarësisë dhe do të dalim me një qëndrim, dhashtë Zoti që qeveria nuk do ta bëjë atë gabim. Ne po e presim me kalu obligimi ligjor i daljes së pagave, ajo është data 5, nëse më datën 6 nuk i qet pagat do të shohim për veprimet e mëtutjeshme. Nuk do të rrimë duar kryq”, tha ai.
Ai e ftoi Qeverinë për dialog social.
“Kërkesa jonë ndaj Qeverisë është që pagat nuk ka të drejtë me i ndal pasi që ligji i grevave e lejon një gjë të tillë, po e lus Qeverinë që të ulët dhe të bisedojë me ne, po besoj që edhe qeveria në krye me Albin Kurtin duhet me u ulë me bisedu se nuk jemi njerëz që rrotullojmë kerre, e thyejmë gjërat tona, andaj e lus ulu e bisedo me SBASHK-un e mos na malltreto me këto gjana”, u shpreh ai për “Front Online”.
Pas një greve një mujore, viti i ri shkollor në Kosovë ka filluar me tre tetor, SBASHK-u ka vendosur që për hir të siç kanë thënë nxënësve greva të pezullohet deri në janar të vitit 2023.