Në shkollën fillore “Ismail Qemaili” në kryeqytet nuk iu përgjigjën thirrjes së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit që në orën e parë të së mërkurës me nxënës të flitej për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Drejtoresha e shkollës jep një arsyetim.
“Është periudha më e ndjeshme e fëmijëve të cilët nuk kanë nevojë të diskutohet për luftën po kanë nevojë të diskutohet për gjërat tjera të cilat janë pikërisht për këtë grup moshë. Do me thënë për sjelljet jo të mirat, problemet me telefon, dukuritë negative. Do me thënë janë tema të cilat me këtë grup moshë duhet të diskutohen, jo për luftën në Ukrainë”, ka thënë Mimoza Krasniqi, drejtoreshë në SHMFU “Ismail Qemali”.
Njëjtë si shkolla “Ismail Qemali”, kanë vepruar edhe të tjera në Prishtinë, si shkolla “Iliria”, “Elena Gjika” e “Gjergj Fishta”. Megjithëkëtë, në nivel vendi, një numër mësimdhënësish iu bindën thirrjes së Sindikatës për të folur mbi luftën në Ukrainë.
Në Këshillin e Prindërve nuk e pranuan mirë këtë, pasi thanë të ketë sjellë frikë e konfuzion te fëmijët.
“Besojmë se ligjërimin për çështje me ndikim dhe interes aktual duhet kontrolluar dhe menaxhuar nga institucionet qendrore, në mënyrë që të mos kemi situata konfuze e as diskutime me këndvështrime personale e joshkencore. Fëmijët tanë duhen sqaruar e mbështetur dhe jo frikësuar e mjegulluar, qoftë edhe pa dashje”, ka pohuar Jeton Demi, kryetar i Këshillit të Prindërve të Prishtinës.
E, sipas Ministrisë së Arsimit, ligjërimi mbi Ukrainën nuk duhej të ndodhte.
“Asnjë mekanizëm tjetër përpos MASHTI-t nuk është kompetent për vendime të tilla. Ministria e Arsimit nuk ka udhëzuar asnjë shkollë në Republikën e Kosovës që në orët e para të flitet për luftën në Ukrainë”, u shpreh Iliriana Pylla, zëdhënëse në MASHTI.
Edhe përfaqësuesit e Sindikatës që ftuan mësimdhënësit për këtë ligjëratë, pranuan se u ngutën me këtë hap.
“Qëllimi i SBASHK-ut ka qenë që karshi edhe sindikatave nga e tërë bota që janë, e ku jemi anëtare dhe ne, pra në internacionalen botërore, të jemi në hap me ta, ta bëjmë një hapë modest të solidarizimit”, ka thënë Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.
Sindikata nuk publikoi raportin se sa shkolla i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes.