Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), e ka quajtur gabim të përsëritur vendimin e Ministrisë së Arsimit që tekstet shkollore edhe këtë vit të ofrohen përmes subvencionimit të prindërve.
Në reagimin e SBASHK-ut thuhet se një vendim i tillë është kritikuar vitin e kaluar, pasi ka krijuar probleme, duke lënë një numër të konsiderueshëm të nxënësve pa tekste shkollore gjatë muajve shtator dhe tetor.
“SBASHK-u, por edhe të tjerët, kishin kritikuar arsyeshëm vendimin e vitit të kaluar lidhur me shpërndarjen e teksteve shkollore përmes librarive dhe subvencionimin për to në xhirollogaritë e prindërve. Ky vendim i gabuar krijoi probleme dhe shtatori e tetori i vitit të kaluar shkollor i gjeti një numër të konsideruar të nxënësve ende pa të gjitha tekstet shkollore. SBASHK-u këtë kundërshtim e ka përsëritur edhe në takimin e kryetarit Jasharaj me zëvendësministrin Taulant Kelmendi duke e lutur që mos të veprohet njëjtë me tekstet shkollore, por që ato të dërgohen me kohë në shkolla nga botuesit”, thuhet në reagim.





