Greva në arsim të dielën hynë në ditën e 18 dhe institucionet e sindikata e arsimit, duken larg zgjidhjes së problemit. Derisa, greva po vazhdon pikëpyetje mbetet zëvendësimi i orëve të humbura. Ekspert e mësimdhënës, thonë se zëvendësimi i orëve gjatë vikendeve apo pushimeve verore, nuk është dëshmuar si efektiv. Kurse, në SBASHK, thonë se ato orë nuk do të zëvendësohen.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura dhe Sindikata e Arsimit të premten dhanë sinjale pozitive dhe shpresë se një marrëveshje me Qeverinë mund të arrihet gjatë vikendit. Por të shtunën u ashpërsua gjuha në mes institucioneve dhe SBASHK-ut. Në këtë të fundit thanë se do të qëndrojnë në kërkesën për 100 euro, sepse është kërkesë e gjithë anëtarësisë, të cilët nuk janë pajtuar me 50 eurot e pakos së re të Qeverisë, e cila parashihet për katër muaj.
Po në të njëjtën ditë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se situata aktuale më shumë është shantazh, e përballë shantazhit nuk ka rrugë tjetër veçse të qëndrojnë për vlerat antishantazh.
Gjatë 18 ditëve të grevës, ajo që është përmendur është edhe zëvendësimi i orëve. Kundër këtij zëvendësimi fillimisht doli Këshilli i Prindërve, të cilët thanë se do të bojkotojnë orët e humbura të mësimit pas përfundimit të grevës. Ndërkohë, ekspertë e mësimdhënës thonë se ky zëvendësim nuk po ka efekt.
Mësimdhënësja Florie Sejdiu nga gjimnazi natyror “Sami Frashëri”, tha se orët e humbura edhe po të zëvendësohen, nuk e kanë efektin e njëjtë te nxënësit.
“Orët e humbura nuk duhet të zëvendësohen dhe kjo duhet të jetë një sinjal për qeverinë që të ndërpritet sa më parë greva. Edhe nëse zëvendësohen nuk do të ketë efekt, ashtu është edhe vendimi i prindërve sepse është ngarkesë për fëmijët nëse punohet edhe dita e gjashtë. Ne nuk duhet të rrimë këtu me ditë të tëra duke menduar që kemi me i zëvendësuar në të ardhmen por është kërkesë e mësimdhënësve, kolektivit tonë që të ndërpritet sa më parë dhe të fillojmë me punë”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori i gjimnazit shoqëror “Ahmet Gashi”, Haki Dili tha së gjithë mësimdhënësit në këtë shkollë janë duke e respektuar vendimin e SBAShK-ut për grevë, derisa ka kërkuar nga qeveria të gjejë zgjidhje sa më shpejt.
Ai ka shtuar se do të përpjekën që orët e humbura të kompensohen, pavarësisht që efekti nuk është i njëjtë.
“Për këtë do të merret vendim sigurisht nga organet përgjegjëse dhe ne jemi të gatshëm kurdo që ata të thonë që këto orë të zëvendësohen. Ne do të përpiqemi maksimalisht që këto ditë të humbura të zëvendësohen për aq sa është e mundshme me gjithë se dihet se zëvendësimet nuk janë sikur ditët adekuate por ne do të bëjmë praktikën maksimale që gjithçka do të zëvendësohet në të ardhmen”, ka shtuar ai.
Rinor Qehaja, drejtor ekzekutiv i Institutit EdGuard, deklaroi se është viti i katërt ku procesi mësimor fillon me vonesë. Sipas tij, javët e humbura kanë shkaktuar një dëm të pariparueshëm në zhvillimin akademik të nxënësve. Qehaja grevën e konsideron si të pafalshme dhe të padrejtë nga ana e palëve të treta.
Sipas njohësit të arsimit, SBAShK nuk duhet ta ndërpresë mësimin për rritje të pagës.
Qehaja është shprehur se nëse vazhdon një situatë e tillë pa komunikim mes institucioneve dhe sindikatave, procesi mësimor mund të stërzgjatet me javë e muaj, derisa njëra palë të lëshojë “pe”.
Edhe për Qehajën, zëvendësimi i orëve të humbura nuk është se përcjell efektin e njëjtë të nxënësit.
“SBASHK-u duhet të shfrytëzoj dhe të jetë kreative në reagimet e saja sindikale, mirëpo në asnjë moment të ndërpres procesin mësimor. Frika jonë është që nëse vazhdon një situatë e tillë pa komunikim mes institucioneve dhe sindikatave procesi mësimor mund të stërzgjatet me javë dhe muaj derisa njëra palë të lëshojë pe… Orët mësimore edhe mund të zëvendësohet mirëpo ajo që na është dëshmuar neve nga e kaluara në asnjë moment orët mësimore të zëvendësuara nuk mund të zëvendësojnë si duhet në mënyrë të mirëfilltë mësimin e rregullt. Zëvendësimi i orëve qoftë vikendeve, qoftë gjatë pushimeve verore dhe pranverore nuk na është dëshmuar asnjëherë si efektiv”, theksoi ai.
Ndërkaq, SBASHK-u, janë deklaruar se nuk do të zëvendësohen orët e humbura. Anëtarja e këshillit grevist të SBASHK-ut, Luljeta Boshnjaku akuzoi qeverinë për mos plotësimin e kërkesave të tyre. Ajo tha se qeveria duhet të gjejë një zgjedhje, pasi zëvendësimi i orëve të humbura nuk ka efektin e njëjtë tek nxënësit.
“Sipas ligjit dhe grevave orët e humbura nuk zëvendësohen. Qeveria duke ditur këtë fakt se orët e humbura nuk zëvendësohen nuk po ndërmerr asnjë hap. Po ashtu, kërkesa e prindërve është që orët e humbura të mos zëvendësohen sepse përveç të shtunave, nuk ka ditë tjera për të zëvendësuar. Nuk kanë efekt zëvendësimi i orëve, këtë e ka vërtetuar dhe pandemia sepse as nuk ishte vullneti i fëmijëve dhe as vullneti i prindërve që orët e humbura të zëvendësohen”, theksoi ajo.
Bashkimi i Sindikatave te Pavarura te Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend. Ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt te Ligjit te pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagës 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave. /KSP