Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) po merr pjesë në Konferencën e Përbashkët Përmbyllëse ETUCE–EFEE, e cila ka nisur sot dhe do të vazhdojë edhe nesër në Kishinau të Moldavisë, me temën: “Partnerët socialë sektorialë evropianë në arsim – promovimi i përfshirjes së personave me nevoja të veçanta në arsim”.
Sipas njoftimit të SBASHK-ut, kjo sindikatë po përfaqësohet nga sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri dhe nga nënkryetarja Vjollca Shala, të cilët po kontribuojnë në diskutimet evropiane mbi politikat gjithëpërfshirëse në arsim dhe rolin e dialogut social në avancimin e të drejtave të nxënësve dhe mësimdhënësve.
“Konferenca dyditore organizohet në kuadër të projektit të dialogut social ‘InclEdu4AllNeeds’, i cili synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet partnerëve socialë në sektorin e arsimit, me qëllim garantimin e përfshirjes efektive të personave me nevoja të veçanta në sistemet arsimore” , thuhet në njoftim.
Po ashtu, theksohet se gjatë konferencës po paraqiten rezultatet e studimit kërkimor dhe seminareve trajnuese të realizuara në kuadër të projektit, si dhe po diskutohen hapat e mëtejmë për veprim në kuadër të Dialogut Social Sektorial Evropian në Arsim (ESSDE).
“Rëndësi e veçantë po i kushtohet vlerësimit të draft-udhëzimeve të përbashkëta për promovimin e përfshirjes efektive përmes nismave të përbashkëta të partnerëve socialë në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal. Pjesëmarrësit po njihen gjithashtu me praktikat më të mira evropiane, të mbledhura gjatë seminareve trajnuese dhe aktiviteteve kërkimore, të cilat shërbejnë si modele konkrete për ndërtimin e politikave gjithëpërfshirëse në arsim”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.
Kjo sindikatë thotë se vazhdon të mbetet e përkushtuar për avancimin e arsimit gjithëpërfshirës, mbrojtjen e të drejtave të mësimdhënësve dhe nxënësve, si dhe forcimin e rolit të sindikatave në proceset vendimmarrëse në nivel kombëtar dhe evropian.
