Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka shprehur shqetësimet për mosekzekutimin me kohë të pagave për muajin shtator për zyrtarët publikë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një komunikatë për media, SBASHK kërkon nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, që të shtojë angazhimet dhe të gjejë mundësi ligjore që ekzekutimi i pagave të bëhet sot.
Në të kundërtën, nga Sindikata shprehen se mund të nisin me veprime sindikale.
“SBASHK kërkon urgjentisht nga ministri Murati që të ndjehet përgjegjës për mos ekzekutimin me kohë të pagave të shtatorit dhe të shtojë angazhimet e të gjejë mundësi ligjore që ekzekutimi i pagave të bëhet që sot sepse në të kundërtën do të konsultohemi me anëtarësinë dhe duke respektuar zërin e tyre, mund të nisim me veprime sindikale”, thuhet në reagim.
Po ashtu, SBASHK pohon se mosekzekutimi me kohë i pagave shkakton efekte negative financiare të punëtorët e arsimit, duke shtuar që shumë prej tyre janë edhe në kredi.
“SBASHK-u shpreh shqetësimet e arsyeshme për mos ekzekutimin me kohë të pagave për muajin shtator. Kujtojmë ministrin Murati se mos ekzekutimi me kohë i pagave për muajin shtator shkakton efekte negative financiare te punëtorët e arsimit dhe jo vetëm nga fakti se shumica e tyre jetojnë me atë pagë dhe mezi e lidhin fillimin e muajit me fundin e tij. Aq më keq, shumë prej tyre edhe janë në kredi dhe vonesa e ekzekutimit të pagave u krijon probleme shtesë ngase këstet e kredive janë të ndërlidhura me data dhe me daljen e pagave dhe kështu të punësuarit pa fajin e tyre mund të ndëshkohen me kamata shtesë për kreditë e tyre”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.
Zyrtarëve publikë ende nuk iu kanë dalë pagat e muajit shtator. Ministria e Financave nuk ka bërë ekzekutimin e pagave pasi ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit i ka skaduar mandati.
Zyra për media e Ministrisë së Financave ka thënë të martën pagat ende nuk janë ekzekutuar por nuk ka dhënë detaje se pse ka ndodhur ky bllokim brenda administratës shtetërore.