Përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Kosovës vizituan të mërkurën Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), për të diskutuar gjendjen aktuale në arsim dhe mundësitë për zgjidhjen e kërkesave të anëtarësisë pa ndërmarrjen e veprimeve sindikale.
Në një njoftim për media, SBASHK bëri të ditur se në takim ishin të pranishëm kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, nënkryetarja Vjollca Shala dhe koordinatori për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri, të cilët informuan Këshillin e Prindërve të Kosovës mbi sfidat me të cilat po përballet arsimi në vend.
“Kemi shqetësime të thella për qasjen e gabuar të Qeverisë ndaj sindikatave dhe ndaj dialogut, i cili po mungon dhe kjo ka krijuar pakënaqësi në radhët e anëtarësisë,” thanë përfaqësuesit e SBASHK-ut gjatë takimit, duke shtuar se janë shtuar zërat për veprime sindikale nëse nuk gjendet një zgjidhje për kërkesat legjitime të mësimdhënësve.





