Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, e ka cilësuar si të pavërtetë lajmin se Danimarka e ka pezulluar marrëveshjen e arritur me Kosovën për burgjet.
“Duam të njoftojmë opinionin dhe publikun e gjerë se lajmet e shpërndara se gjoja Mbretëria e Danimarkës është tërhequr nga Traktati ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, nuk qëndron dhe nuk është i vërtetë”, ka shkruar Sallahu në Facebook.
Ai tha se gjatë ditës kanë komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarët nga Ministria e Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës dhe, sipas tij, ata i kanë konfirmuar se qëndrojnë tërësisht pranë zotimeve të dakorduara në traktat dhe asgjë nuk ka ndryshuar në raport me marrëveshjen e përbashkët.





