Salih Mustafa është shpallur fajtor për krime lufte në kompleksin në Zllash në vitin 1999.
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë e ka dënuar me 26 vjet burgim si dënim të njësuar.
“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtorë për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se trupi gjykues ka marrë për bazë dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializar pasi kanë qenë të besueshme, u konfirmuan nga prova të tjera dhe se “ishin të qarta dhe koherente, përshkrimet ishin të gjalla dhe të rrëfyera me emocion”.
Ndërkohë, për dëshmitarët e mbrojtjes trupi gjykues nuk ka nxjerrë konstatimet e njëjta. Sipas gjykatëses, në ta kanë ndikuar negativisht disa faktorë, si “lidhjet e forta dhe të ngushta mes dëshmitarëve dhe Mustafës”.
Sa i përket veprës së ndalimit arbitrar, trupi gjykues ka konstatuar se Mustafa qëllimisht ua hoqi lirinë viktimave të mbajtura në kompleks.
“Provat vërtetuan se Mustafa ishte i pranishëm në kompleksin në Zllash gjatë prillit 1999. Trupi konstatoi urdhëroi BIA-n që viktimat të ktheheshin në vendin e tyre pasi ishin marrë në pyetje. Trupi konstatoi se Mustafa qëllimisht ua hoqi lirinë viktimave dhe e dinte se atyre nuk iu dha asnjë garanci bazë gjatë ndalimit të tyre. Trupi gjykues konstatoi se Prokurori i Specializuar ka vërtetuar jashtë dyshimit të arsyeshëm se është kryer krimi i luftës i ndalimit arbitrar kundër të paktën 6 personave në kompleksin në Zllash në prill 1999”, ka thënë gjykatësja.
Sa i përket veprës së trajtimit mizor dhe torturës, trupi gjykues konstatoi se të ndaluarit në kompleks u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese të ndalimit.
“Të ndaluarve iu ndalua ndihma mjekësore dhe nuk iu lejua të flisnin me njëri-tjetrin. Ata u morën në pyetje ashpërsisht dhe u akuzuan si spiunë, tradhtarë, bashkëpunëtorë të serbëve, hajdutë. Ata u urdhëruan të shprehnin mbështetje për UÇK-në, të bërtisnin vdekje tradhtarëve, hajnave dhe lavdi UÇK-së”.
“Trupi gjykues ka konstatuar se Mustafa dhe varësit e tij të BIA-s qëllimisht u shkaktuan dhimbje e vuajtje të mëdha fizike e mendore të paktën 6 personave në kompleksin në Zllash me synimin e marrjes së informatave apo deklaratave pranuese”.
Trupi gjykues më tej ka konstatuar se sipas provave, dy prej të ndaluarve kanë qenë më të keqtrajtuar, një prej të cilëve më vonë është gjetur i vdekur.
“Sipas provave dy ishin nga më të keqtrajtuarit, njëri u pa pothuajse i vdekur e më pas u gjet i vdekur. Duke qenë se Mustafa kishte kontroll të plotë, trupi konstatoi se Mustafa vendosi të lironte disa të ndaluar. Vendimet e marra nga ai, ishin barabartë me vrasjen e paligjshme të viktimës. Provat vërtetuan se shkaqet e vdekjet, keqtrajtimet dhe refuzimi i trajtimit shëndetësor janë rezultat i veprimit të Mustafës dhe vartësve të tij”.
“Trupi gjykues konstatoi se Mustafa kishte synim ta vriste viktimën”.
Siç ka thënë trupi gjykues, Mustafa “personalisht torturoi dy të ndaluar duke u dhënë shembull vartësve të tij të BIA-s. Urdhëroi vartësit t’i torturonin të ndaluarit”.
“Pesha e krimeve është e rëndë”, ka thënë gjykatësja.