Ibrahim Rugova është, në vlerësimin tim, një gjeni shqiptar në politikën evropiane dhe në politikën botërore. Është një gjeni i papërsëritshëm”, tha Sali Berisha në promovimin e librit më të ri të Adnan Merovcit për ish-presidentin Rugova.“Intelektual i klasit të parë. Ai angazhohet në çështjen e kombit dhe vendit të tij. Në mënyrë gjeniale, ai zgjedh një rrugë krejtësisht të huaj për shqiptarët. Të huaj për shumicën e kombeve të botës. Zgjedh rrugën paqësore për të mundur një pushtim. Kombet, ndaj pushtimeve, kanë pasur ose nënshtrim, ose përballje me armë”, tha Berisha.
“Ibrahim Rugova nuk zgjodhi as të parën dhe as të dytën, por zgjodhi qëndresën paqësore, me të cilën ai shtyu muret e kohës. Me të cilën ai në mënyrë më mahnitëse, ta quajmë mrekullia Rugova, ai arriti që një projekt, të cilin përveç atij, përveç shqiptarëve, nuk mbaj mend një të dytë që ta përkrahte, që ta mbështeste, t’i lëmë folkloret, pavarësinë e Kosovës nuk e mbishteste njeri, përveç atij. Imagjinoni për një moment të luftosh i vetëm dhe të gjithë kundër. Por përsëri, ai në këmbë.
Pse në këmbë? Sepse kishte bërë një zgjedhje gjeniale, kishte bërë zgjedhjen paqësore. Rugova nuk ishte vetëm një lider vizionar, por ishte i vetmi politikan që sa ç’ishte lider, aq ishte edhe misionar.Ibrahim Rugova, sigurisht që lufta dhe ndërhyrja e NATO-s qenë faktorë madhorë, por përsëri u garantoj se edhe pas çlirimit, pa Ibrahim Rugovën, pavarësia e Kosovës e kishte shumë të ngushtë hapësirën.
Rugova, në kushtet e pushtimit, ngriti institucione të shqiptarëve dhe institucione të cilat u qëndruan besnikë parimeve të shpallura. Tani, Rugova në liri, pa diskutim që ishte i plotë për të qenë president i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Dhe unë jam dëshmitar i sa e sa kundërshtive që kishte pas çlirimit të Kosovës për të pranuar si variant pavarësinë. Por përsëri kthehemi tek e para, për Rugovën tjetër zgjidhje nuk kishte përveç pavarësisë. Pra, ky burrë ia doli. Ia doli të ideojë ëndrrën e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Ta ndryshojë. Ajo ëndërr ishte për bashkim kombëtar. Por ajo ëndërr për bashkim nuk ishte e realizueshme. Ajo kishte një kosto të tmerrshme për Kosovën. Edhe e thoshte, pavarësia njëherë, pastaj shohim më vonë.
Pra, nuk ka një të dytë në politikë, natyrisht ka shumë ngjashmëri edhe në karrierën e tij politike me Gandin. Gandi ishte nismëtar i asaj që realizoi. Rugova ishte nismëtar i asaj që realizoi. Në kushtet më të vështira” – tha Berisha.