Sot në Tiranë, Partia Demokraike po mban zgjedhjet për kryetarin e ri, ku garojnë ish-kryeministri, Sali Berisha dhe ish-kryetari i PD-së në Kukës, Ibsen Elezi.
Procesi i votimit ka nisur prej orës 8.00 dhe do të mbyllet në orën 20:00. Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Albana Vokshi ka njoftuar se deri në orën 11 sot kanë votuar 14,012 anëtarë të PD-së për kreun e ri të PD-së.
Komisioni i Organizimit ka bërë me dije gjithashtu se pjesëmarrja deri në orën 13:00 sipas qarqeve ka qenë 24 165 anëtarë.
Fillimisht orari i votimit ishte caktuar deri në 18:00 por është shtyrë deri në 20:00 për shkak të kërkesave të larta në qendrat e votimit.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Sali Berisha votoi në selinë blu rreth orës 10:30 dhe më pas foli para mediave duke i cilësuar zgjedhjet si proces historik. Ai tha se sot shihet drita e shpresës për të ardhmen ndërsa tha se nuk i trembet vendimit të gjykatës, duke theksuar se nuk ka asgjë që e ndal këtë mision historik.
Rreth orës 11:00, Ibsen Elezi hodhi votën në selinë blu dhe përsëriti thirrjen që të mos ketë shkelje pasi nuk do t’i tolerojë.