Policia e Kosovës, në një aksion mbështetës me Doganën e Kosovës, në Leposaviq ka konfsikuar 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave.
Pajisjet e njohura si ANTMINER, të cilat shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave, shquhen për shpenzim të konsiderueshëm të energjisë elektrike, raporton lajmi.net.
Sipas platformës ‘Amazon’, një pajisje ‘AntMiner S9’ shpenzon 1323W për orë. Policia vetëm nga ky model konfiskoi 128 copë, që në bazë të një përllogaritje, funksionimi i tyre përnjëherësh përbrenda një ore kushton afro 170 kW për orë. Për një ditë, nga këto pajisje shpenzohen 4080 kW.
Në raportin e Policisë thuhet se u konfiskuan edhe 117 copë Antminer S9 13.5T, ku një njësi e vetme shpenzon 1323W për orë. Në total, për një orë 117 pajisjet shpenzojnë 154 kW. Për një ditë, shpenzimi shkon në afro 3,700 kW.
Qytetarët e Kosovës, në bazë të matjeve të nëntorit, paguajnë çmimin me të ulët në rajon për energjinë e shpenzuar elektrike. Për një kilovat në orë, ata paguajnë rreth 6 centë.
Në bazë të këtij çmimi, për 24-orë, 245 nga 272 pajisjet e konfiskuara në veri shpenzojnë rrymë në vlerë prej afro 500 eurosh.
Policia e Kosovës, përgjatë orëve të para të mëngjesit ka shoqëruar një person dhe ka konfiskuar 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave në pjesën veriore. Aksionin fillimisht e njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se do të ketë edhe aksione të tjera.
“Sot në orët e para të mëngjesit, pas kërkesës së Doganave të Kosovës, Policia e Kosovës ka organizuar aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të paisjeve për minim të kriptovalutave. Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj paisjesh dhe u arrestu një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës”, u deklarua ai.
Ky aksion vjen pas vendimit të Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, në mënyrë të parandalimit të thellimit të krizës energjetike.