Aleanca e NATO-s do të prihet më fort prej europianëve, me prani të vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara, në kohën kur aleatët kanë rritur theksueshëm investimin ushtarak, ka paralajmëruar të premten (13.02.2026) sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, raporton Reuters.
“Gjatë viteve të ardhshme ne do të shohim gjithnjë e më shumë një NATO që prihet më shumë prej europianëve, por njëherësh me SHBA-në absolutisht të ankoruar në organizatë”, ka thënë Rutte para gazetarëve në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Munihut.
“Këtë do ta bëjmë hap pas hapi në lidhje të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, bazuar në procesin e planifikimit të mbrojtjes që e kemi”.
Ndërkohë sekretari amerikan i Shtet, Marco Rubio, ka folur për një moment përcaktues dhe për një “epokë të re” derisa ka udhëtuar drejt Europës për një fjalim të madh që do ta mbajë në Konferencën e Sigurisë së Munihut, ka raportuar të premten (13.02.2026) BBC.
Rubio do t’i prijë delegacionit amerikan në aktivitetin e parë të madh global prejse presidenti Donald Trump kërcënoi sovranitetin danez me zotimin për aneksimin e Grenlandës.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka këmbëngulur se Europa duhet të përgatitet për pavarësi nga SHBA-ja, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se lidhjet transatlantike janë më të ngushta dhe më të rëndësishme se kurrë.
Lufta në Ukrainë, tensionet me Kinën dhe marrëveshja e mundshme bërthamore ndërmjet Iranit dhe SHBA-së janë gjithashtu në agjendë ndërsa fillon Konferenca e Sigurisë.
“Bota po ndryshon shumë shpejt para nesh”, u ka deklaruar Rubio gazetarëve, kur u pyet nëse mesazhi i tij për europianët do të jetë më pajtues se një vit më parë.
“Ne jetojmë në një epokë të re në gjeopolitikë dhe do të kërkojë që të gjithë ne të rishqyrtojmë se si duket kjo dhe cili do të jetë roli ynë”, ka deklaruar ai.
Në konferencën e vitit të kaluar, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, kishte sulmuar Europën, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, për politikat mbi lirinë e fjalës dhe imigracionin. Fjalimi i tij kishte shkaktuar një vit tensioni të paparë transatlantik. Rreth 50 liderë botërorë do të marrin pjesë në konferencën e sivjetme, ku do të diskutohet mbrojtja europiane dhe e ardhmja e marrëdhënieve transatlantike në kohën kur janë vënë në dyshim zotimet e SHBA-së ndaj NATO-s./Kallxo.com