Ministria e Jashtme ruse, ka thënë të enjten, se nëse SHBA-ja vendos ta furnizojë Kievin me raketa me rreze të gjatë, në këtë mënyrë do ta kalonte “vijën e kuqe” dhe do të bëhej “pjesë e konfliktit”.
Zëdhënësja e kësaj ministrie, Maria Zakharova, ka shtuar se Rusia “e ka të drejtën ta mbrojë territorin e saj”, raportoi Reuters të enjten.
Washingtoni e ka furnizuar Ukrainën me raketa të avancuara, të cilat mund të qëllojnë caqe deri në 80 km larg, mirëpo e ka mbajtur larg publikut lajmin se do të dërgojë raketa me rreze dyfish më të gjatë.
Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se Ukraina ka premtuar që nuk do t’i përdorte raketat për ta sulmuar territorin rus.
“Nëse Washingtoni vendos ta furnizojë Kievin me raketa me rreze të gjatë, atëherë kjo do të paraqiste tejkalim të vijës së kuqe dhe do të bëhet drejtpërdrejtë pjesë e konfliktit”, ka thënë Zakharova.
Ukraina ka pranuar një sasi të madhe të armëve nga SHBA-ja dhe shtetet e tjera perëndimore, si ndihmë që t’u rezistojë forcave ruse.
CNN-i, sipas burimeve të tij, ka raportuar se SHBA-ja nuk do të dërgojë tash për tash raketa me rreze të gjatë në Ukrainë.