James Rubin në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, është ballafaquar me pyetjet e prokurorisë dhe me disa deklarata që kishte dhënë më parë rreth këtij procesi gjyqësor dhe aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Prokurori James Pace citoi një deklaratë të Rubin të bërë në korrik të këtij viti ku e kishte quajtur Prokurorinë si turp.
Rubin tha se mund të ketë qenë shprehje e pamatur pasi që siç u shpreh kur je në television edhe mund të lëshosh fjalë.
“Mund ta kem përdorë atë fjalë që mbase ka qenë jo e matur. Por, kur je në televizion mbase përdor edhe fjalë që mbase nuk duhet përdorur. Sidoqoftë unë mund edhe ta tërheq edhe këtë fjalë”, deklaroi Rubin.
Ish-zyrtari amerikan ka thënë se nuk e ka lexuar dosjen paragjyqësore e as atakuzën e as nuk ka ndjekur dëshmitë e dëshmitarëve të më parshëm. Prokurori Peace ia përmendi që Rubin kishte thënë se akuzat ndaj Thaçit janë absurde.
“Ju thatë në televizion se zoti Thaçi po ndiqet penalisht për arsye krejt absurde. A është kjo ajo që keni thënë”, pyeti prokurori.
“Po, besoj që këtë e kam thënë”, tha James Rubin.
Në këtë intervistë, James Rubin kishte thënë se është turp që Thaçi mbahet në burg derisa Qeveria e Kosovës e krijoi vetë këtë Gjykatë.
James Rubin kishte thënë se ushtria serbe ka kryer 95% të vrasjeve masive dhe të barazosh këtë me atë që bënë shqiptarët e Kosovës është absurde dhe për të ardhur keq.
“Fakti se nuk e lirojnë as me kusht presidentin dhe presin që të gjejnë prova dhe të gjejnë zgjidhje se si të vijojnë për këtë gjykim, mendoj se kjo është një problem”, kishte thënë Rubin në këtë intervistë.
James Rubin u pyet për një artikull të gazetës The Neë York Times, të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandantët e lartë të UÇK-së kanë kryer vrasje brenda radhëve të tyre.
Rubin tha se nuk i kujtohet ky artikull, por shtoi se ka dyshime për autorin e tij, Chris Hedges.
“Autori i këtij artikulli, në mënyrë të vazhdueshme, ka shkruar fjali që kanë qenë të rreme”, tha ai.
Prokuroria e ZPS-së dhe avokati mbrotjës i Thaçit kanë përfunduar me pyetjet ndaj James Rubin, i njëjti po merret në pyetje nga gjykatësit. /Telegrafi/